Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë sot në orën 10:00 padinë e disa partive politike kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për mënyrën e përfitimeve financiare për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit.
Në padinë e tyre drejtuar Kushtetueses, 5 parti politike, Partia Republikane e Shqipërisë, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë, kërkojnë shfuqizimin e mënyrës së llogaritjes së parave që ato do të marrin si pjesëmarrëse në zgjedhje përmes koalicioneve.
Konkretisht, ato kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor me ligjin nr. 118/2020, datë 05.10.2020 “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së përfitimeve monetare të partive politike, të cilat garojnë në zgjedhje brenda një koalicioni.
Çfarë thotë neni 88 i Kodit Zgjedhor për ndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje?
Në nenin 88 të Kodit thuhet se: Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave në shkallë vendi në zgjedhjet më të afërta pararendëse të të njëjtit lloj përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje; KQZ-ja, brenda 10 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi; KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme, të përcaktuar sipas pikës 2 të këtij neni, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj. Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre; KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur, sipas pikës 3, sanksionet financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse, sipas këtij ligji; shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është shuma që përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje nga buxheti i shtetit.