Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zgjedhur të marrë mandatin e fituar në qarkun e Fierit, duke i kthyer sot një përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në procesin zgjedhor të 25 prillit, znj. Kryemadhi mundi të merrte mandatin në dy qarqe, Fier dhe Tiranë edhe pse kandidoi edhe në qarkun e Elbasanit.
Në total, LSI ka marrë katër mandate nga zgjedhjet e 25 prillit, përkatësisht: mandati i znj.Erisa Xhixho në Tiranë, mandati i z. Agron Çela në Shkodër dhe dy mandatet e znj. Kryemadhi.
Ndërkohë, për mandatin e Kryemadhit në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të marrë një vendim për të përcaktuar kandidatin fitues në listën e LSI-së.