Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim është takuar këtë të premte me shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar në SPAK, Altin Dumani.
Kryediplomatja amerikane ka shprehur mbështetjen e saj për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) sa i takon vendimeve të fundit.
“U takova sot me Altin Dumanin, shefin e Seksionit të Krimit të Organizuar të SPAK, për të shprehur vlerësimin për ndjekjet e shumta që kanë rezultuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë”, shkruan Yuri Kim.
Znj. Kim thotë se pret rezultate të tjera në zbatimin e ligjit, ndërsa inkurajon SPAK-un të dëshmojë se askush nuk është mbi ligjin.
“SPAK do të japë edhe më shumë rezultate që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.