Opinioni shqiptar është tronditur nga ngjarje e rëndë ku nga një aksident i ndodhur në autostradën e Vlorës humbën jetën katër persona të së njëjtës familjes, mes tyre dy vajza të vogla.
Deputeti opozitës, Ralf Gjoni me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se këtë fatalitet mund ta kishte secili prej nesh, ndërsa zbulon se edhe ka përjetuar pikërisht në atë segment rrugor, ku “një audi gri, shpejtësi marramendëse, tre zgjebsa ‘rinorë’ që tentonin me qejf të thyenin shpejtësinë e dritës prapa nesh”.
Postimi i plotë
Trishtim& Zemërim! Mund të kishte qenë familja e secilit prej nesh. Ky është produkti i një shteti që nuk kontrollon dot territorin e tij! Rrugët e Shqipërisë janë totalisht nën mëshirën e Zotit e nën terrorin e përditshëm të disa maskarenjve të droguar kriminelë e psikopatë që ende mbajnë patenta e makina luksoze.
Në fakt, policia ka frikë prej tyre dhe ndaj rrallë i ndalon për kontroll. Dje desh na ndodhi edhe ne familjarisht e njëjta ngjarje, në po atë segment rrugor, një audi gri, shpejtësi marramendëse, tre zgjebsa ‘rinorë’ që tentonin me qejf të thyenin shpejtësinë e dritës prapa nesh.
Ka aksidente gjithandej, por nuk sheh kurrë psikopatër që sfidojnë rregullat e qarkullimit dhe vetë jetën siç ndodh në Albanistan. Ngushëllime të thella familjarëve të viktimave. Zero tolerancë për ata që shkaktuan këtë tragjedi.
Dhe mjaft me gjoba se nuk funksionojnë. Policia e Shtetit duhet të riorganizohet e të kryejë funksionin e saj parësor të mbrojtjes së jetës e kontrollit të territorit.
Duhen konfiskime mjetesh, arrestime, heqje patente e asnjë fije liri e lëshim për kaubojsat e autostradës. Qeveria të zgjohet prej gjumit pas zgjedhor. Situata është realisht alarmante!