Basha nga Brukseli: Qëllimi ynë, ta çlirojmë Shqipërinë nga një bandë plaçkitësish

Shqipëria

Basha nga Brukseli: Qëllimi ynë, ta çlirojmë Shqipërinë nga një bandë plaçkitësish

Më: 28 qershor 2021 Në ora: 18:57
Lulzim Basha

Nga Brukseli ku po merr pjesë në Asamblenë politike të PPE, Partia Popullore Evropiane, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se ndau me ta shqetësimin për atë që e quan si masakër zgjedhore në 25 prill.

Basha theksoi se zgjedhjet janë një nga kriteret më të rëndësishme për rrugëtimin europian të çdo vendi dhe se 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë.

Basha: Falënderova Partinë Popullore Evropiane dhe të gjithë partitë simotra për mbështetjen shumë të madhe që na dhanë para dhe gjatë fushatës zgjedhore. Sigurisht që ndamë shqetësimin e madhë për masakrën zgjedhore, për atë që ODIHR-i tashmë e ka përcaktuar në raportin paraprak si dy problemet kryesore: blerjen masive të votave dhe shkrirjen në një të shtetit dhe partisë, si dhe nevojën për të hartuar së bashku një platformë për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë.

Zgjedhjet janë një nga kriteret më të rëndësishme për rrugëtimin europian të çdo vendi. Ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me demokracinë ndërkohë që 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme për ne, për Partinë Demokratike sepse nga njëra anë ne e dimë fare mirë se ndryshimi në Shqipëri mund dhe do të vije vetëm  përmes procesit të integrimit europian të vendit. Nga ana tjetër procesi i integrimit europian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike zgjedhjet.

Basha shtoi se qëllimi i opozitës është që të çlirohet Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që e kanë marrë peng demokracinë e vendit.

Basha: Dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për një demokraci funksionale nga e cila varet pastaj gjithçka: rendi dhe siguria, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe dhënia fund e hemoragjisë së emigracionit së të rinjëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat