Dega e Partisë Demokratike në Sarandë ka akuzuar qeverinë “Rama” për një vepër publike në Bashkinë Konispol, që është pikërisht ajo e ujëmbledhësit të Janjarit.
Në një dalje për mediat kandidati për deputet i PD-së, dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jolio Dine tha se ky projekt infrastrukturor është një dëshmi i plotë.
Sipas Dines, mijëra fermerë, pronarë të mbi 500 mijë pemëve rrezikojnë prodhimin për shkak të thatësirës dhe për shakk të mosvendosjes në funksion të një investimi prej 10 milionë euro, i cili duhet të kishte përfunduar në 30 prill 2021. Në emër të PD-së, Dine tha se prej dy muajsh ujëmbledhësi është jashtë funksionit edhe pse për të janë paguar 10 milionë euro për rehabilitimin e 60 km kanale.
REAGIMI I PD SARANDË
Një nga veprat e shumëtrumbetuara të Qeverisë “Rama” për Bashkinë Konispol, ajo e ujëmbledhësit të Janjarit, po rezulton një dështim i plotë.
Mijëra fermerë, pronarë të mbi 500 mijë pemëve rrezikojnë sot prodhimin për shkak të thatësirës dhe një skandali të madh qeveritar që ka të bëjë me mos vendosjen në funksion të një investimi prej 10 mln euro, i cili duhet të kishte përfunduar në 30 prill 2021, por që ende nuk ështe vendosur në punë.
Këto (foto) janë pamjet sot të ujëmbledhësit të Janjarit, pra thatësirë e plotë. Prej dy muajsh ai është jashtë funksionit edhe pse për të janë paguar plot 10 mln euro për rehabilitimin e 60 km kanale duke u shfaqur për publikun, madje në ceremoni me pjesëmarrje Ministrash e deputetësh, si një investim që do të ndihmonte vaditjen e 4000 ha tokë në gjithë Bashkinë Konispol. Burimet bëjnë me dije se punimet e kryera në këtë vepër, janë totalisht jashtë standardeve duke bërë që proceset mos të funksionojnë dhe ujëmbledhësi mos të kryejë asnjë shërbim.
Fermerët janë sot në mëshirë të fatit dhe të vetmet përgjigje që marrin nga organet kompetente janë ngritje supesh e deri në arrogancë. SPAK sot ka një arsye më shumë për të nisur hetimet se si janë shpërdoruar 10 mln euro dhe për çfarë arsye kjo vepër madhore nuk po vihet në funksion duke i shkaktuar banorëve të Bashkisë Konispol dhjetra milion euro dëm për shkak të mosvaditjes së agrumeve, për një prodhim të parashikuar në 40 mijë ton, që janë baza e ekonomisë së kësaj zone.