Papunësia dhe Varfëria/ Dervishi: Më shumë shqiptarë jashtë se sa brenda Shqipërisë

Shqipëria

Papunësia dhe Varfëria/ Dervishi: Më shumë shqiptarë jashtë se sa brenda Shqipërisë

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 10:18
Foto Ilustrim

Papunësia dhe varfëria në vendin tonë janë dy elementë të pandashëm për shoqërinë tonë. Të njëjtin vlerësim ka bërë Banka Botërore në raportin e saj të fundit, ku nënvizon papunësinë në vendin tonë.

Sociologu Zybi Dervishi, thotë për emisioni Ditë e Re, se varfëria është çështje sociale  dhe politike dhe jo vetëm çështje ekonomike. Ai thekson se vendi jonë nuk po gjen dot fuqitë sociale për të organizuar popullin, në mënyrë që të shfrytëzojë resurset e veta

"Në Ballkan është hapësira më e pasur në të gjithë botën. Shqipëria ka hapësirën më të pasur me elementë natyrorë. Sipas Faik Konicës, në hapësirën shqiptarë në Ballkan mund të jetojnë më mirë se Zvicerianët 20 milionë banorë ne jemi 6 milionë. Ne nuk po gjejmë dot fuqitë sociale për të organizuar këtë popull, në atë mënyrë që të shfrytëzojë resurset e veta. Ndoshta ka dhe linja që punojnë nëndheshëm, për t'i dëbuar shqiptarët nga Shqipëria. Emigracioni është një hemoragji e frikshme."

Suzana Guxholli, eksperte ekonomie pohon për studion e Rtv Ora, se shqiptarët emigrojnë për mbijetesë dhe se emigracioni është plagë e madhe për vendin tonë.

"Ne jemi në zhvillim të përhershëm, mos harroni se Shqipëria ka filluar shumë vonë të zhvillohet. Ne kemi vrapuar shumë në 30 vite. Dhe në 30 vite dëshira jonë për të arritur ata që janë shumë par nesh u bë kaotike. Për fat të keq emigrimi nuk i ka bërë mirë Shqipërisë, ndryshe nga Gjermania apo Anglia. Që lëvizin për globalizëm dhe eksperienca.Në Shqipëri ne lëvizim për mbijetesën, për bukën e gojës. Emigracioni dhe rrjedha e madhe e shumë te rinjve, sidomos të të arsimuarve ka ndikuar shumë ekonominë. Kjo është plagë e madhe. Tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia, ishin shtysë për të theksuar varfërinë në vendin tonë. Qeveria Rama ngriu rritjen e pagave për katër vite, ai shtoi numrin e personave që futi në punë, kjo shtoi varfërinë. Arsye tjetër janë raportet politike. Nuk u shkuan në politika me synim zhvillim e vërtetë ekonomik. Zhvillimi ekonomik te ne është anemik, është rastësor. Është fasoneria, është call-center dhe mikrobizneset. Për dinjitet të njerëzve, që në vend të marrin atë ndihmën sociale, atë dollarë, apo të dalin të emigrojnë", shprehet për moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu.  

Vjol Didanaj, ekonomist ekspert i politikave ekonomike thekson se problemi kryesor i vendit tonë është përqendrimi i ekonomisë në Tiranë, duke përqendruar ekonominë në duart e 3% të popullatës.

"Dikush para disa kohësh thoshte se vendi im është aty ku kam punën. Fatkeqësisht kur nuk ke punën dhe në vendin tënd kur ke lindur, dukesh si kur je i huaj. Varfëria  në vendin tonë ka qenë gjithmonë pjesë e Shqipërisë. Shqiptarët gjithmonë kanë vuajtur, qoftë për pjesën e punës, qoftë për pjesën ekonomike.

Është e vërteta kemi pasur ngritje të ekonomisë nga -0.5 kemi shkuar në 0, por asnjëherë kjo rritje nuk është bërë me politika afatgjata.

Në 2020 mbi 40 mijë biznese janë mbyllur për shkak të pandemisë.

Shqipëria ka një problem, e përqendron të gjithë ekonominë në Tiranë. Kemi një centralizim shumë të theksuar. Dhe kjo bën që mos kemi një zhvillim në të gjithë territorin dhe kjo sjell përqendrimin e ekonomisë në duart e 3% të popullsisë. Pra gjithë ky përqendrim i fortë, është i paevitueshëm që  do të sjellë varfëri.

Një faktor që ka ndikuar në rritjen e papunësisë ka qenë përkeqësimi i kushteve të punës, sidomos në sektorin privat.

Pandemia ka vendosur në krizë bizneset që kanë ulur pagat e tyre dhe mosdeklarimi  i të ardhurave sepse kjo shtyn të rinjtë që mos të punojnë në këto kushte."

Zybi Dervishi, shton se më shumë shqiptarë ka jashtë Shqipërisë se sa brenda.

"Shqipëria ka nevojë për masa makro. Jemi më shumë shqiptarë jashtë se sa brenda. 16, 17 milionë jemi ne shqiptarët dhe 8 milionë i kemi në Shqipëri."

Ai thotë së në kartëmonedhën e 100 mijë lekëshit duhet të ishte Skënderbeu dhe jo Asdreni.

"Personaliteti më i rëndësishëm i shqiptarëve është Skënderbeu, ai duhet të ishte në kartëmonedhën më të madhe, jo Asdreni."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat