Kryeministri, Edi Rama, nuk i ka shpëtuar një komenti lidhur me denoncimin e Pjerin Ndreut në prokurori nga një efektiv policie në Lezhë, për shkak se e ka penguar në shoqërimin e pronarit të një lokali që mbante muzikë në shkelje të orarit.
Në konferencën me gazetarët, Rama i përcolli mesazhin Kryebashkiakut të tij se askush nuk ka të drejtë të ofendojë uniformat blu.
Por nga ana tjetër ai tha se çështja ka marrë rrugën ligjore dhe shqetësimi i tij më i madh është fajësimi i përditshëm i policisë për çdo ngjarje që ndodh.
Pyetje: A jeni i sigurt se policia do ia dalë të çlirojë plazhet nga ata që i ka zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk do të pengohet nga ndonjë zyrtar i lartë i PS, i pushtetshëm si Pjerin Ndreu i cili është denoncuar në prokurori nga një oficer policie i cili u ka thënë prokurorëve se Kryebashkiaku nuk ka lejuar forcërisht shoqërimin e një pronari lokali që mbante muzikën tej orarit të parashikuar në ligj.
Rama: Nuk e kuptoj ku është lidhja mes zaptimit të plazhit dhe muzikës. Megjithatë kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t'ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin ofendimit të policisë. Por policisë i bëhet dhe një ofendim tjetër i vazhdueshëm, i përditshëm kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh.
Ky është një ofendim shumë më i madh sesa ofendimi individual i një personi ndaj dy apo tre punonjësve sepse ai individuali zgjidhet. Është aty, i drejtëpëdrejtë, është në shkelje të etikës, ligjit dhe të gjithave dhe ka proces. Do të shqetësohesha nëse policia apo strukturat përkatëse nuk do të kishin ndjekur rrugën ligjore.
Të gjithë mund të gabojnë dhe të gjithë duhet të përgjigjen për gabimet e tyre. Rëndësi ka që në këtë rast nuk kemi një tolerim të faktit që një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo një grup punonjësish policie. Por ofendimi i madh që i bëhet policisë është ofendimi i përditshëm dhe mungesa e mbështetjes dhe përmbytja e opinionit me gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.
Nëse do të ishte kështu, në SHBA ku vriten me dhjetëra njerëz në ndonjë rast tragjik në një moment do të duhej që policia e SHBA, strukturat dhe gjithë zinxhiri politik i SHBA të çoheshin në gjyqin e fundëm popullor, por nuk ndodh kështu.
Jemi të shqetësuar çdo ditë që punët të bëhen më mirë. Por që të thuhet se 1, 2 apo 3 ngjarje shumë të rënda, shumë fatkeqe, shumë tragjike, na e bëkan Shqipërinë një vend ku turistët mund të kthehen mbrapsht është shumë qesharake sepse turistët nuk po kthehen mbrapsht, asnjë turist nuk do të kthehen mbrapsht.