Ndryshimet në nivelet e larta të policisë së shtetit do të bëhen shumë më shpejt seç ishin planifikuar paralajmëron kryeministri Edi Rama.
Duket se dy ngjarjet tragjike, ajo e Velipojës dhe e Vlorës do të avancojnë më shpejt në kohë këto ndryshime tha Rama në konferencë për medien.
"Në ngjarjen në fjalë sulmi ndaj policisë është absurd nuk kam parasysh se policia mund të bëjë punën e vet më mirë por në një vend demokratik nuk është vetëm policia që garanton gjithçka e kontrollon sjelljet e individëve apo në konflikte mes tyre që ndodhin në pak minuta dhe nuk ka polici në botë të mund ti parandalojë, por sigurisht që policia e shtetit ka nevojë për mbështetje të madhe sa i takon teknologjisë, ndërkohë ristrukturimi në aspektin organizativ, e burimeve njerëzore nga niveli i drejtuesve të qarqeve deri tek nivelet më të ulëta është një proces që ka nisur të konceptohet dhe do materializohet edhe më shpejt seç ishte planifikuar pikërisht për të reaguar ndaj kësaj situate.
Procesi i ndryshimeve në nivelet e larta të policisë së shtetit do të bëhet më shpejt seç ishte planifikuar por ishte planifikuar."
Mbron Çuçin
Rama ishte në krah të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi për të vlerësuar dhe punën e policisë.
“Unë nuk e harroj dot por ju mund ta harroni. Në këtë vend përpara ca vitesh ka pasur më shumë vrasje sesa ditët në vit dhe numri I aksidenteve ka qenë dyfish. Nuk e harroj dot. “
Gjithashtu ishte në krah të Çuçit kur akuzoi sistemin e drejtësisë për lirimin e personave me rrezikshmëri.
“Fakti që personat e përfshirë në tragjedi kanë armë pa leje dhe patjetër që armëmbajtja pa leje në vendin tonë dënohet më rëndë se në shumë vendet të tjera të Europës, nuk është policia e shtetit që mund të çojë në burg ata të cilët i çon përpara gjykatësve dhe gjykatësit nuk i dënojnë as me minimumin që i jep ligji. Çfarë duhet të bëjmë ne?
Ju të parët duhet të bëni demaskimin e këtyre gjykatësve, se e keni në dorë ta bëni. Janë fakte skandaloze që ndodhin dhe gjykatat duam nuk duam ne, na pëlqejnë nuk na pëlqejnë ne ata të cilët janë akoma në detyrë se nuk kanë kaluar procesin e vettingut dhe abuzojnë, nuk ka një instrument qeveria që ti bëjë zap.”