Ditën e sotme Gjykata e Tiranës dënoi me 4 muaj punë në interesin publik efektivin e policisë Glen Ndreu, i cili vitin e kaluar dhunoi një 15-vjeçar tek Liqeni Artificial. Kujtojmë se kjo ndodhi për shkak se 15-vjeçari kishte dalë jashtë orarit të lejuar për shkak të situatës së pandemisë.
Ndërkohë, pas këtij vendimi i riu ka reaguar duke thënë: "Nuk jam dakort me vendimin e Gjykatës. Më kanë përplasur njëherë, më prangosën një dorë. Më pas më plasën në shesh. Më vendosën gjurin në kokë. Më ngritën në këmbë, më goditën sërish.
Deshën të më fusnin në makinë, insistova sepse nuk doja që të shkoja në komisariat. Kisha hallin e biçikletës në fakt. Kam qenë, si ta them. Nuk e mbaj mend mirë. I hutuar, i trullosur. E kisha të vështirë dhe më vonë sepse të gjithë njerëzit më thonin, “ja ky djali”, “ky djali”.
E kam pasur të vështirë ta kaloja këtë moment. Njëri më thoshte dhe pse nuk flet, pse nuk hap gojën. I thashë “ku di gjë unë se çfarë do të bësh ti me atë pistoletë që ke brez”. Më tha “nuk e kam se ta kisha, ta tregoja unë”. Do kërkoja që zoti Glen Ndreu të dënohej, nuk do të doja ta kalonte me kaq pak. Nuk jam përballu më me të pas asaj periudhe," tha ai.