Më datën 7 korrik do të jetë seanca e fundit e Parlamentit. Këtë e ka vendosur konferenca e kryetarëve ditën e sotme, duke mbyllur kështu legjislaturën katërvjeçare.
Mbledhja e konferencës e drejtuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka vendosur që nga 5 deri 9 korriku të jetë kalendari i punimeve.
"Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 5-9 korrik 2021. Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 5-9 korrik 2021. Konferenca vendosi zhvillimin e seancës së fundit plenare të legjislaturës më 7 korrik 2021", thuhet në njoftimin për median.
Më 7 korrik mbyllet dhe ky Parlament i Legjislaturës së IX që do të mbahet në histori për zhvillimet e forta politike që nuk janë regjistruar ndonjëherë në historinë e pluralizimit shqiptar të pas viteve '90.
Kështu opozita parlamentare dorëzoi në bllok mandatet, duke mos u përfaqësuar në Parlament, si dhe për herë të parë u shkarkua një president pas ngritjes së një komisioni hetimor.