Policia ka publikuar pamje nga operacioni ndërkombëtar i koduar "SHPIRTI", për goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Mësohet se në këtë operacion janë angazhuar 200 forca policore nga reparti special Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës.
Operacioni është zhvilluar në kushte të larta sigurie për forcat policore pjesëmarrëse, në të njëjtën kohë në të gjitha qarqet, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe rreth 60 mijë euro.
"Interpol Tirana dhe Fast Albania po bashkëpunojnë me homologët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij operacioni.
Edhe në këtë operacion Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm të lartë dhe besueshmëri te partnerët, e shprehur kjo edhe gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e SPAKU-t, nga krerët e policive dhe agjencive ligjzbatuese pjesëmarrëse në këtë operacion", njofton policia.
Mes zyrtarëve të arrestuar, SPAK njofton se janë një administrator publik (drejtor), nje prokuror, tre zyrtar të lartë të policisë e dy punonjes të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjestarëve të grupit te shoqerimit të ish – Ministrit të Brendshëm.
Bëhet fjalë për dy truprojet e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Agustin Deda.
Në pranga kanë përfunduar prokurori i Vlorës, Maksim Sota (I cili më parë aplikoi për t’u bërë pjesë e SPAK); Ilirjan Balla, shefi i Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë. Maksim Zota dhe Ilirjan Balla ndodhen të dy në ‘arrest shtëpie’.