Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një reagim pas vendimin të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, i ka bërë thirrje Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të veprojë.
“Gjykata Kushtetuese foli, radhën e ka SPAK”, shkruan Basha në Twitter. Kreu i PD publikisht mbështet idenë për rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në vendin ku ishte dhe me të njëjtën strukturë.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e tokës së Teatrit Kombëtar në Bashkinë e Tiranës si dhe ka pezulluar veprimet për ndërtimin e godinës së re.
Si rrjedhojë toka e teatrit i rikthehet Ministrisë së Kulturës, gjë e cila i heq të drejtën Bashkisë së Tiranës për të vazhduar me procedurat e ndërtimit të godinës së re.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar pas një rezistence të gjatë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që kundërshtonin prishjen e ndërtesës me argumentin se përbën trashëgimi kulturore.