Zëdhënësi i Presidentit të Turqisë, İbrahim Kalın ka zhvilluar një vizitë në Tiranë ku është takuar me kryeministrin Edfi Rama.
Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, mes të tjerash në takim është diskutuar për blerjen e dronëve turq nga ana e Shqipërisë, por edhe ndërtimi i 500 banesave, që u prishën nga tërmeti.
Në një pyetje në lidhje me miratimin e buxhetit shtesë nga ana e parlamentit shqiptar për të blerë dronë nga Turqia, Kalın tha se bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes është i rëndësishëm dhe shtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë që të mbështetet siguria, paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë.
“Paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë janë edhe paqja dhe stabiliteti edhe ynë dhe paqja dhe stabiliteti i Ballkanit”, u shpreh Kalın.
Ai gjithashtu përmendi edhe 500 banesat e ndërtuara në Shqipëri pas tërmetit, duke thënë se ato pritet të finalizohen në gusht dhe t’u dorëzohen pronarëve.
“Në të njëjtën mënyrë, në këtë periudhë pandemie, veçanërisht në kontekstin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, këtu u ndërtua një spital në një kohë shumë të shkurtër, me udhëzimet e presidentit tonë. Ne patëm po ashtu mundësinë të bënim furnizim me vaksina. Në periudhën e ardhshme, ne do të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë në të gjitha këto fusha, përfshirë shëndetësinë”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.