Dy amerikanët që kanë zgjedhur të zbulojnë të veçantat e Shqipërisë

Shqipëria

Dy amerikanët që kanë zgjedhur të zbulojnë të veçantat e Shqipërisë

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 19:41
Dy amerikanët

Kësaj herë në “Cult”, zgjodhëm që kryeqytetin ta zbulojmë me sytë e turistëve, të cilët kthehen në vendin e Shqiponjave sa herë ata kanë mundësi. Steve dhe Paul, kanë ardhur nga përtej oqeanit, për të shijuar ditët verore në Shqipëri.

Vendosëm që turin në kryeqytet t’ua besojmë atyre. Nisi krejt thjesht, jo në një vend panjohur nga ne, por në një hapësirë që rrihet shumë nga njërëzit, pikërisht nga qendra, sepse syrit të mprehtë të tyre nuk mund t’i shpëtonin godinat dhe monumente që flasin për periudha të ndryshme kohore të kryeqytetit.

“Për herë të parë kam ardhur në vitin 1988 dhe kam qëndruar në hotelin e njohur të asaj kohe, fiks në zemër të kryeqytetit dhe kur kam dal jashtë, nuk e di pse, por e shikoja atëherë këtë vend vetëm në ngjyrat bardh e zi, si një film i vjetër, por sot është plot ngjyra dhe shumë më mirë se atë kohë”, tha Steve.

“Përshtypja ime e parë ishte kjo: më në fund arrita në vendin nga vinin gjyshërit e mi, 100 vite më parë përafërsisht”, tha Paul.

Shikojmë operan, xhaminë, kullën e sahatit, bllokun e ministrive që janë ndërtuar gjatë regjimeve të ndryshme që kanë qenë në kryeqytet.

“Nuk më kujtohen vitet kur janë ngritur këto godina, por di të them që para se të vija në Tiranë, në foto shikoja pikërisht këto si një pikë referimi që sot ende më flasin për vjetërsinë e qytetit”, shtoi Steve.

“Në fakt unë dua të flas pikërisht për një detaj që m’u tregua, që gurët e sheshit kanë ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë për të treguar bukurinë e secilit dhe ky fakt më pëlqeu”, shtoi ai.

Por në përgjigjen e tyre, “përplasjen e kohërave” e lidhin dhe me zhvillimin dhe urbanizimin e pashmangshëm të Tiranës.

“Personalisht mendoj që ndërtesat e larta ngjitur me to, janë do ta quaja pak të tepruara, sepse në sytë e mi këto monumente i bëjnë të duken të vogla, do doja të ishin vetëm ato”, theksoi Steve.

Ndërkohë Paul ndan këtë mendim: është si një libër historie, sepse ke stilin italian, pastaj dhe stilin tuaj autentik, është e këndshme kjo ndërthurje e historisë”, shprehet ai. 

Nga këtu Steve vendosi të na çonte në një tjetër vend.

“Më kujtohet Teatri, madje këtu kam parë edhe shfaqje jo tek Eksperimentali, por tek Kombëtari dhe më vjen keq që nuk është më. Ndjej nostalgji, ishin godina të bukura, nuk duhej të ishin prishur, duhej të ishin rikonstruktuar”, tha ai.

Për ta një opsion për të parë në kryeqytet është edhe Bunk’Art, dhe muzeu “ Shtëpia me Gjethe”.

“E shkuara nuk ishte aq e mirë dhe aq tërheqëse, por ju e keni ruajtur dhe e keni ekspozuar, është në zgjedhje shumë e mirë, sepse të gjithë kemi një të shkuar të cilën nuk duhet ta fshehim”, thanë ata.

Nuk mund të mos ndodhte, që një vend të veçantë për turistët të zinte edhe kuzhina shqiptare.

Ndaj dy miqtë amerikanë zgjedhin edhe Pazarin e Ri, si një vend që patjetër duhet të shikohet dhe shijohet nga të huajt. Rrugës për atje, nuk mund të mos flisnin për ushqimin edhe për këngët shqiptare.

Të dy ata kanë shijuar vendet në periferi të Tiranës dhe po ashtu edhe vendet në veri apo në jug të Shqipërisë e nga këtu do të marrin ndjesi të bukura për t’i gjetur sërish në udhëtimin e radhës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat