Euronews Albania ka mësuar se katër të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në Velipojë, ishin kthyer dje nga Italia dhe ishin akomoduar në hotelin e tyre.
Sipas informacioneve, pjesëtarët e familjes kanë qenë duke pastruar ambientet e hotelit, ndërsa shpërthimi ka ndodhur kur Alketa Gjoka e plagosur nga shpërthimi po bënte kafe.
Nga ekspertiza rezulton të kemi të bëjmë me një aksident nga pakujdesia njerëzore pasi ka dyshime se dhomën ku qëndronin gjashtë bombola nga 3-6 kilogramë, njëra prej tyre ka qenë e hapur dhe ka lëshuar gaz gjatë gjithë natës. Kjo është dhe arsyeja se përse ekspertët dyshojnë se shpërthimi ka ndodhur për shkak të mbushjes së dhomës me gaz.
Përfundimi i përcjellë në relacionin e ngjarjes provohet dhe nga gjenda e bombolave pas shpërthimit, që pas këqyrjes kanë qenë të padëmtuara por të mbuluara me pluhur si pasojë e shpërthimit.
Të dielën, katër pjesëtarë të një familjeje u plagosën rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi, ku nëna 40 vjeçe dhe 3 fëmijët e saj të moshave 19, 15 dhe 11 vjeç kanë marrë plagë të rënda dhe janë transportuar me helikopter drejt spitalit të djegie plastikës në Tiranë.