Situata për 40-vjeçaren Alketa Gjoka dhe tre fëmijët e saj të cilët kanë pësuar djegie nga shpërthimi i bombolave në hotelin e tyre në Velipojë vijon të mbetet tejet kritike.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka vizituar ata këtë pasdite, në repartin e djegie-plastikës në QSUT.
Manastirliu shprehet se mjekët dhe infermierët po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për ta duke i trajtuar me terapinë e plotë të mjekimit.
“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë.
Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, shkruan ministrja.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të diele në magazinën e hotelit ku nga fuqia janë shkatërruar i gjithë kati i parë i hotelit.
Në hotel, në momentin e shpërthimit nuk ka pasur pushues, por kanë qenë vetëm anëtarët e familjes Gjoka, kryefamiljarja Alketa Gjoka dhe fëmijët e saj, Klarisa 15 vjeç, Danjela 19 vjeç dhe Enrik 12 vjeç.