Policia në 24 orët e fundit ka arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po ashtu bëhet e ditur se janë pezulluar gjithsej 57 leje drejtimi, nga të cilat: 38 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 19 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2482 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht:
412 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 324 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 746 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 178 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 711 masa për parakalime të gabuara dhe 111 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.
Aktualisht ka filluar kthimi i pushuesve nga zonat bregdetare në drejtim të Tiranës dhe Morinës dhe për këtë shkak në të gjitha akset rrugore ka fluks të shtuar, por të rrjedhshëm dhe pa ndërprerje.
"Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve , të respektojnë rregullat, mos kryejnë parakalime të gabuara, të qëndrojnë në radhë në akset ku trafiku është i rrjedhshëm por i ngadaltë, të mos qarkullojnë me shpejtësi e mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri."- njofton policia.