Bashkimi Europian i kërkon Parlamentit që të shtyjë për në shtator votimin për zgjedhjen e kreut të Autoritetit Rregullator të Medias, duke pritur kështu që emri i tij të dalë me konsensus mes PD-së dhe PS-së.
Ky është urdhri i prerë i delegacionit të BE-së që kërkon që kreu i ri i AMA-s të zgjidhet nga Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
“Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me emërimin gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Sot në seancën e fundit parlamentare është parashikuar votimi i kreut të ri të AMA-s. Armela Krasniqi është kandidatura e përcaktuar për këtë post, të për të cilin PD-ja ka shprehur kontestimet e saj, pasi sipas saj, është një emër pranë qeverisë Rama.
Deklarata e plotë:
Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente & me legjitimitet të njohur nga të gjithë. BE ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive & ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente & të pavarura për emërimin & shkarkimin e kryetarit & anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë. Kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të AMA. Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me emërimin gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar.