Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë që të hapin një tjetër pikë kalimi kufitar, që do të menaxhohet në mënyrë të përbashkët për të shmangur burokracitë dhe vonesat për kalimtarët.
Bisedimet mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi janë në fazë të avancuar dhe drejt përfundimit dhe synohet hapja e pikës së kalimit kufitar Cemi i Trieshit-Grabom të ndodhë brenda këtij muaji.
Takimi i fundit mes komisioneve të dy vendeve është mbajtur më 25 qershor, ndërsa së fundmi Ministria e Brendshme e Malit të Zi njoftoi se ka një dakordësi për hapjen e kësaj pike kalimi kufitar, që do të jetë e treta.
“Është rënë dakord që pika e kalimit kufitar Cemi i Trieshit-Grabom e ndërtuar bashkarisht në territorin e Malit të Zi të hapet sa më shpejt, mundësisht jo më vonë se muaji korrik”, thotë deklarata e palës malazeze.
Synimi është që kjo pikë kalimi kufitar të lehtësojë radhët në pikat e tjera të kalimit që janë funksionale aktualisht mes dy vendeve, sidomos te ajo e Muriqanit dhe e Hanit të Hotit.
Gjithashtu, mes dy vendeve është diskutuar edhe zgjerimi i kapaciteteve në pikën e kalimit të Muriqanit, ku pala shqiptare, sipas njoftimit të malazezëve ka ngecur për shkak të mungesës së fondeve.
“Përfaqësuesit e Shqipërisë kanë raportuar qe janë duke u ndërmarrë aktivitete lidhur me sigurimin e mjeteve financiare për zgjerimin e kapaciteteve në këtë vendkalim kufitar”, citon deklarata.
Me hapjen e Grabom-Cem i Trieshit bëhen katër pika kalimi kufitare funksionale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, pas Muriqanit, Hanit të Hotit dhe Vermoshit, ndërsa në plan janë edhe hapja e dy pikave të tjera në Zogaj të Shkodrës dhe Qafë-Vranicë në Tropojë që do ta lidhë me Gucinë.