Banka e Shqipërisë më optimiste se Banka Botërore për rritjen ekonomike

Shqipëria

Banka e Shqipërisë më optimiste se Banka Botërore për rritjen ekonomike

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 22:55
Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë del kundër Bankës Botërore sa i takon parashikimeve për rritjen e ekonomisë shqiptare përgjatë këtij viti.

Guvernatori Gent Sejko, pasi tha se rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti ishte 5.5 për qind, deklaroi se BSH parashikon që në total për të gjithë këtë vit, kjo rritje të jetë mbi 5 për qind.

Shifra është dukshëm më e lartë se projeksionet e Bankës Botërore, që në fillim të muajit qershor parashikoi që ekonomia shqiptare të rritet me 4.4 për qind për këtë vit dhe me 3.7 për qind për vitin e ardhshëm.

Banka Botërore parashikon se ekonomitë me varësi të lartë nga turizmi, si Shqipëria dhe mali i Zi do të vijojnë të ndikohen nga kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit dhe lëvizjes për shkak të pandemisë.

Në të njëjtin raport, Banka Botërore parashikon rritjen më të fortë ekonomike në rajon për këtë vit për Malin e Zi me 7.1 për qind, ndjekur nga Serbia me 5 për qind.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar politikat monetare duke ruajtur nivelin 0.5 për qind të normës bazë të interesave për depozitat, duke argumentuar se rritja e lehtë e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të naftës, që është vënë re kohët e fundit është e përkohshme.

Sejko tha se tregu ka likujditet të bollshëm, ndërsa tha se miksimi mes stimulit fiskal dhe atij monetar do të vazhdojë për të pasur një ekonomi më stabël dhe garantuar rritjen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat