Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion kombëtar për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Operacioni policor i koduar "Gjysmëfinalja", i zhvilluar në 12 qarqe të vendit, gjatë mbrëmjes së djeshme ku u përfshinë 1100 punonjës policie.
Policia bën me dije se në të gjithë vendin janë kontrolluar 656 ambiente në të cilat dyshohej se mund të ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.
''Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, konkretisht 19 persona në Tiranë, 6 persona në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës, 1 në Bulqizë, 1 në Fier e 1 në Korçë. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 18 persona, konkretisht 5 persona në Korçë, 3 në Tiranë, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë, 2 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Mat dhe 1 në Fier. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 15 kompjutera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celular, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale, të cilat shërbimin për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit." - njofton policia.
Policia e Shtetit shprehet se është e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të luftuar paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.