Si u skualifikuan dy kompanitë garuese dhe punimet nuk u kryen nga kompania fituese/ Zbardhet dosja e tenderit korruptiv në Lushnje

Shqipëria

Si u skualifikuan dy kompanitë garuese dhe punimet nuk u kryen nga kompania fituese/ Zbardhet dosja e tenderit korruptiv në Lushnje

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 11:53
Fatos Tushe

Në dosjen që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbulohet skema që kanë përdorur në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe; administratori i kompanisë fituese për tenderin e kanalit vaditës, Bujar Murati apo punonjës të tjerë.

SPAK vendosi masën “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe bashkëpunëtorët e tij,  Flamuri Peqinin, Ibrahim Lamin, Bujar Murati, Bektash Nexha, Blerta Turku dhe Gazmend Çela.

Ndërsa ka caktuar masën “Arrest në Shtëpi” për Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andri Musho dhe Ani Simoni. Të gjithë personat e mësipërm janë të përfshirë në afera korruptive për tenderin 24 milionë  lekë që do të rehabilitonte kanalin vaditës në dy fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Sipas dosjes, policia referoi veprën penale në prokurori, pasi Flamur Peqini me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes sam Pasurive Publike në Lushnje kryente veprime korruptive në lidhje me tenderat e ndërmarrjes duke shpërdoruar detyrën. Gjithashtu ai u shpërndante karburantin automjeteve të ndërmarrjes dhe atyre bujqësore  duke hedhur sasi më shumë se sa deklarohej në shtet.

Pas dërgimit të çështjes anë prokurori janë kryer hetime, përgjime telefonike e vëzhgim të të dyshuarve në vende publike.

Në lidhje me tenderin për rehabilitimin e kanalit vaditës në Kolonjë të Lushnjes, fituese u shpall “Euro Alb” shpk me administrator Bujar Muratin.

Me punimet dhe përfitimin real të të ardhurave është marrë Ibrahim Lami, i cili ishte në lidhje të ngushtë shoqërore me kryebashkiakun dhe Flamur Peqinin dhe lidhje familjare me Bujar Muratin.

Në datën 03.07.2020 bashkia Lushnje i është drejtuar Degës së Thesarit me kërkesën për ndryshim plani dhe limiti për buxhetin e vitit 2020 për vlerën 28.597.408 lekë , ku buxheti për atë vit ishte 10 milionë lekë dhe për 2021-SHIN 18.597.408 lekë/. Fondet kanë ardhur nga Ministria e Bujqësisë.

Në datën 23.07.2020 nga Autoriteti Kontraktor  Ndërmarrjes Pasurisë Publike shpalli prokurorimin publik me procedurë të hapur për 23.251.340 lekë pa TVSH duke caktuar afatin e punimeve 30 ditë.

Hartuesit e specifikimeve teknike, Blerta Turku, Bardhi Mëhilli dhe Ilva Bilo përcaktuan kriteret e veçanta për kapacitetet lidhore, profesionale të operatorëve ekonomikë duke përfshirë certifikata, licenca, numri i punonjësve, të paktën 100 me kohë të plotë për periudhën janar-Korrik 2020, pajisjet, kamionët, vinçat që duheshin për punimet.

Në datën 31,08.2020 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gazmend Cela, nëndrejtor i NNP, Margarita Gjermëni ekonomiste në sektorin ujitje kullim NNP dhe Xhemal Hasko përgjegjës sektori ujitje kullim NNP hapën ofertën për tenderin, ku kishin konkurruar tre operatorë. BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk; Hstoci shpk dhe Euro alb shpk.

Operatori me ofertën më të ulët ishte BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk, por anëtarët zgjodhën Euroalb shpk me arsyen se dy kompanitë e tjera kishin mangësira në plotësimin e kërkesave.

Pas kësaj, dy kompanitë konkurruese ankimuan vendimmarrjen e KVO, ku u ngrit Komisioni për Shqyrtimin e Ankesës me anëtarë Ani Simoni me detyrë arkëtare në NNP, Andri Musho me detyrë specialist dhe Bektash Nexha specialist në NN.  Komisioni rrëzoi ankesën e dy kompanive duke lënë në fuqi vendimin e KVO.

Më datë 11.11.2020 Autoriteti Kontraktor NPP ka lidhur kontratë me Euro Alb shpk për kryerjen e punimeve në kanalin vaditës të dy fshatrave..

Bazuar në përgjimet telefonike, rezulton se Flamur Peqini ka biseda telefonike me një person me emrin Beni, i cili rezulton si Arben Avduli, administrator i firmës Avduli shpk . Avduki ka ankimuar skualifikimin nga gara duke pretenduar se kompania fituese nuk i ka kapacitetet e duhura, por Peqini i është shprehur se aty ka një komision që ka marrë vendim dhe se do të mbeten miq edhe pas kësaj..

Rezulton se Flamur Peqini ka komunikuar edhe me Ibrahim Lamin, ku i thotë “ia rrëzuan atij, ia bëra gati ia kopsita të gjithën dhe nesër do t’ia nisi me postë”. Ndërkohë Ibrahim lami shprehet ” ishalla nuk e çon më andej ai”… më pas Ibrahimi i thotë “jam me shefin për kafe”.

Një bisedë mes Fatos Tushes dhe Ibrahim Lamit tregon se ata kanë njohje me njëri-tjetrin, ku thotë se Ibrahimi “ka pirë një kafe me B. se ai ka thënë që bëjeni mbledhjen me Fatosin dhe më pas Ibrahimi e ka përcjellë në parlament”.

Nga vëzhgimi rezulton se Tushe është takuar Ibrahim Lamin në Tiranë ku kanë biseduar për dy orë dhe më pas janë larguar. Në bisedën mes të dyve, Fatosi i thotë Ibrahimit që të gjejë një person dhe ta mbyllë çështjen e animimit të Avdyli shpk për punë tre katër ditësh.

Flamur Peqini komunikon përmes telefonit të shoferit të tij me Ibrahimin, ku i kërkon të ndërhyjë, ndërkohë që ky i fundit i thotë që do të flasë me shefin pasdite.

Bujar Murati dhe Ibrahim Lami flasin në lidhje me kontratën mes tyre, ku Murati i thotë: Mirë kusho pa merak fare, vulë dhe firmë shko tek zyra, materialet të gjitha në emrin tat i ke, kontratën do e bëjmë siç kemi rënë dakord dhe zjarr kusho”.

Dyshohet se punimet e kanalit kanë filluar në datën 20.12.2021 dhe jo në datën 19.12.2021 siç ishte lidhur kontrata.

Në bisedën e datës 18.01.2021 Flamuri i thotë Ibrahimit se “ikin ditët dhe nuk gjejmë numra protokolli dhe supervizori nuk është lidhur me inxhinierin. në bisedat e tjera, Flamuri thotë se nuk ika përfunduar kanali e puna duhet bërë xixë duke pasur parasysh se kanë ardhur ata të Spakut”.

Bujar Murati komunikon me shtetasen e quajtur Dori, e cila i thotë se ka firmosur në vend të një personi tjetër si drejtuese teknike.

Dori: E firmosa unë. ka vënë emrin e Zhanit si drejtuese teknike.

Bujari: Po Zhani është…

Dori: Unë firmosa por Zhanit si thashë fare.

Bujari: Varja mo çke me të.

Drejtuesja teknike e punimeve është Zhaneta Diamanti, e cila në fakt nuk ka firmosur fare në dokumente.

Nga kjo bisedë sipas gjykatës përforcohet dyshimi se Euroalb nuk ka kryer punimet e kanalit, por ato janë kryer nga Ibrahim Lami.

Në bisedat e tjera mes Ibrahimit dhe Flamurit, ky i fundit i thotë “do të hedhim prapë tendera vitin tjetër, këto porositë t’i bëj gati unë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat