Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit i rekomandon Komisonerit Publik të ankimojë vendimin për gjyqtarin Gerd Hoxha, i cili kaloi shkallën e parë të vettingut.
Në datën 3 qershor 2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Vendimi nr. 393, datë 3.6.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 1.7.2021. Më datë 8.7.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.