Specialistja e ISHP-së: Vaksinimi masiv do parandalojë përhapjen e versionit “Delta”

Shqipëria

Specialistja e ISHP-së: Vaksinimi masiv do parandalojë përhapjen e versionit “Delta”

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 17:35
Jonida Haxhiu

Jonida Haxhiu, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik thotë se në Shqipëri ende nuk ka asnjë rast të prekur nga varianti “Delta” i COVID-19.

“Po monitorojmë me intensitet çdo rast të dyshuar, jo vetëm ata që dalin pozitiv, në mënyrë që të kemi të dhëna në momentin e duhur”, deklaroi specialistja e ISHP-së.

Gjatë një interviste për Euronews Albania, znj. Haxhiu tha se çdo person duhet t’i drejtohet mjekut të familjes dhe qendrave shëndetësore për të marrë informacionin e duhur lidhur me simptomat dhe shenjat.

“Mjeku i familjes dhe qendrat shëndetësore, të cilat janë edhe në zonat turistike tashmë, janë i vetmi vend ku marrim informacion të saktë lidhur me çdo simptomë dhe shenjë që na shfaqet”, tha ajo.

Ndërsa në vendet tona fqinje ka pasur raste të konfirmuara me variantin “Delta”, znj. Haxhiu thotë se “mbetet për të parë se si do të vijë në vendin tonë dhe përqindja e përhapjes do të përcaktojë dhe masat kufizuese”.

Specialistja e ISHP-së nga ana tjetër thekson faktin se Shqipëria ka një nivel të lartë vaksinimi pasi deri tani janë injektuar mbi 1 milion doza dhe kjo pritet të ketë efekt parandaluese në përhapjen e “Delta-s”.

“Jemi ndër vendet e para në Evropë sa i takon vaksinimit dhe kjo na ka bërë që të jemi ndër vendet me numrin më të ulët të të infektuarve”, tha ajo duke shtuar se nga ana tjetër nuk ka vend për eufori.

Lidhur me pikëpyetjen që kanë shumë qytetarë se cilat janë kriteret e përzgjedhjes së llojit të vaksinës, znj. Haxhiu tha se “ka një program kombëtar të vaksinimit që bën shpërndarjen e vaksinave sipas grupeve të popullatës” dhe janë simptomat dhe problematikat e pacientit përcaktuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat