Psikologët paralajmërojnë qytetarët për pasojat afatgjata të COVID-19

Shqipëria

Psikologët paralajmërojnë qytetarët për pasojat afatgjata të COVID-19

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 20:58
Qendra e shëndetit mendor

Prej disa javësh në Shqipëri janë hequr gradualisht masat kufizuese për mospërhapjen e COVID-19 për shkak të numrit të ulët të vdekshmërisë dhe infektimeve ditore si dhe vaksinimit masiv, që tashmë ka kaluar shifrën e një milion të vaksinuarve. Por psikologët paralajmërojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm pasi, pasojat e infektimit nuk janë zhdukur dhe se ato janë afatgjata për shëndetin e tyre.

“Situata nuk është krejtësisht rozë. Kjo nuk do të thotë së, më në fund jemi të lirë dhe nuk kemi asnjë lloj rreziku. Ne duhet ta shijojmë jetën, gjithmonë nën masat e kujdesshme. Ne e dimë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet. Është shumë e rëndësishme që, kur të dalësh nga shtëpia, të kesh kujdes që të mbrohesh. Pra nuk jemi si në fazat e para të pandemisë, kur nuk dinim se si të reagonim ndaj kësaj situate. Kujdesi nuk është i tepërt në asnjë lloj situate, në asnjë lloj momenti”.

Ajo që vihet re në jetën e përditëshme, thotë psikologu Fatjon Taipi për Zërin e Amerikës, është se njerëzit po e kapërcejnë me shpejtësi periudhën e mbylljes dhe kufizimeve për shkak të pandemisë duke j’u rikthyer me shpejtësi jetës normale gjë, që dëshmon për një rikthim të shpresës.

“Njerëzit tani kanë më tepër shpresë sepse një betejë të madhe me pandeminë e kanë fituar dhe kthimi i shpresës ka të bëjë me aktivitetin e tyre të përditëshëm. Gjithashtu, edhe emocionalisht njerësit ndjehen më të lehtësuar dhe kanë filluar të përjetojnë emocione të pashoqëruara me ndjenjën e ankthit, që ata kishin gjatë periudhës së pandemisë”.

Për psikologun Altin Nika, efektet afatgjata që ka lënë pandemia lidhen me ndjenjat e ankthit e depresionit tek një numër përsonash, por edhe me rritjen e konflikteve në familje duke shtuar numrin e përsonave që kërkojnë trajtim psikologjik

“Di të them se ka lënë pasoja të forta. Por, në anën tjetër, di të them se, fatmirësisht, për herë të parë vërej se edhe individë kthejnë sytë tek shërbimi psikologjik. Ne jemi një popull që shkojmë vetëm atëherë kur kemi nevojë. Kështuqë, kjo situatë e vertetoi edhe një herë rëndësinë që ka shërbimi psikologjik”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Përmirësimi i marrëdhënieve sociale, të kufizuara gjatë muajve të pandemisë, sipas psikologut Taipi, është një element i domosdoshëm, por duke qenë gjithnjë të kujdesshëm pasi rreziku nuk është larguar përfundimisht dhe se variante të reja të virusit janë shfaqur në rajon.

Megjithëse në Shqipëri numri i personave aktivë me COVID-19 ka rënë nën 60 dhe në spitalin infektiv trajtohen vetëm 3 pacientë, Ministria e Shëndetësisë vazhdon t’ju apelojë qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID-19 dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat