Një nga personat që rrezikuan mbytjen, ditën e sotme, në plazhin e Pishë Poros të Fierit, ka ndërruar jetë.
Personi që ka ndërruar jetë është Fiqiri Rexhepi, ndërsa fatmirësisht ka mundur të shpëtojë Arben Alizoti.
Dy personave u është dhënë ndihma e parë nga policia dhe roja bregdetare, por me dërgimin në spital, njëri nuk mundi të mbijetonte.
“Sot rreth orës 17:00, në plazhin publik në Pishë Poro, Darëzezë, shtetasit A. A., 47 vjeç dhe F. R., 60 vjeç, të dy banues në Fier, duke u larë në det kanë rrezikuar të mbyten. Pushuesit që ishin pranë tyre dhe më pas punonjësit e Policisë që patrullojnë në bregdet, u kanë dhënë ndihmën e parë dhe i kanë çuar me ambulancë në spitalin e Fierit. 60- vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital ndërsa 47-vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë.