Edhe kjo javë që sapo ka filluar do të vijojë të jetë me diell të fortë dhe temperatura relativisht të larta.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti ditën e sotme parashikohet fillimisht i kthjellët, por nga orët e mesditës në ato të pasdites do të ketë shtim vranësirash. Në zonën e veriut dhe qendrës këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta dhe lokalisht në formë shtrëngatash. Në relievet malore në formën e stuhive dhe rrebesheve afatshkurtër.
Dita e martë parashikohet të ketë mot të kthjellët në të gjithë territorin, por përsëri nuk do të mungojnë vranësirat kalimtare në relievet malore, shoqëruar me shtrëngata apo shi të dobët afatshkurtër.
Më pas për tri ditët e mbetura të javës (e mërkurë, e enjte, e premte) vendi do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, si dhe me temperatura relativisht të larta.