Policia e Kakavijës ka sekuestruar 94 mijë paund, ndërsa ka proceduar një 49-vjeçar, i cili ishte edhe poseduesi i shumës së padeklaruar.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, automjetin tip furgon me drejtues shtetasin N. T., 49 vjeç, banues në Dimal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në një vend të përshtatur në automjet gjetën të fshehura 86810 paund, ndërsa në një çantë dore gjetën dhe 7400 paund, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, drejtuesi i furgonit, shtetasi N. T. u procedua penalisht për veprat penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".