“Gjykata Kushtetuese ka zhvlerësuar mënyrën e përllogaritjes së herësit”

Shqipëria

“Gjykata Kushtetuese ka zhvlerësuar mënyrën e përllogaritjes së herësit”

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 20:18
Dardan Mustafaj

Dardan Mustafaj, jurist dhe ish-këshilltar i Gjykatës Kushtetuese, shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Kodin Zgjedhor shfuqizon mënyrën e përllogaritjes së herësit.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk e ka zhvlerësuar herësin si parim as kufirin prej 10 mijë votash por mënyrën se si llogaritet herësi.

“Gjykata Kushtetuese duke pasur parasysh që parimi është lista e mbyllur dhe përjashtimi është thyerja e herësit, kjo mënyrë e përllogaritjes së përjashtimit e bën iluzore pasi në disa qarqe bëhej jo real ky përjashtim”, tha Mustafaj duke iu referuar qarqeve me më pak votues.

Ish-këshilltari i Gjykatës Kushtetuese thotë se arsyetimi është “disi i pazakontë” pasi në mënyrë indirekte thotë se partitë politike në Shqipëri nuk janë demokratike pasi në vendim thuhet se “interesi publik i herësit është që zgjedhësit mund të rrisin demokracinë e partive”.

Tashmë që gjykata e ka shfuqizuar këtë rregull krijohet një vakum në Kodin Zgjedhor që duhet të plotësohet me miratimin e disa ndryshimeve në parlament.

“Nëse nuk plotësohet atëherë nuk realizohet dispozita e Kushtetutës për hapjen e listave dhe mbeten të mbyllura”, deklaroi juristi.

Vendimi shtoi Mustafaj është një “udhëzim i përgjithshëm se si nuk duhet të jetë mënyra e llogaritjes së herësit” dhe “nuk duhet të jetë i lartë në qarqet ku ka pak votues”.

“Vendimi tregon se ka pasur një shkelje kushtetuese dhe ua lë në dorë partive politike që të plotësojnë boshllëkun me shfuqizimin e nenit të Kodit Zgjedhor”, përfundoi ish-këshilltari i Gjykatës Kushtetuese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat