Përkeqësimi i motit dhe erërat e forta në brigjet e Vlorës kanë shtuar thirrjet për kujdes nga ana e qytetarëve nga autoritetet vendore, veçanërisht lidhur me dallgët.
Në një intervistë për Euronews Albania, drejtuesja e zyrës operacionale pranë Meteoalb, Lajda Porja tha se nesër dhe gjatë fundjavës pritet që situata e motit të jetë më problematike jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë brigjet e Jonit, në Sarandë, Himarë, Ksamil.
“Që në orët e para të mëngjesit, në fakt ka filluar që mbrëmë gjatë natës, kemi pasur forcim të ndjeshëm të parametrit të erës, ku në momente të veçanta era e kalon dhe 60 kilometra në orë,” paralajmëroi znj. Porja, e cila shtoi se kjo vjen prej ndryshimit të masave ajrore.
Forcimi i erës në fundjavë do të jetë prezent në të gjithë zonën bregdetare, ndaj pushuesit duket të kenë kujdes, sidomos në orët e para të ditës, deri pasdite.
“Bregdeti i Durrësit dhe Velipojës mund të rrezikohen edhe nga reshje të forta shiu, dhe ditën e diel reshjet e forta mund të përfshijnë edhe zonat qendrore të vendit. Më pas, situata do të përmirësohet dhe deri me datë 27 korrik do të jetë mot i kthjellët dhe i qëndrueshëm,” paralajmëroi Porja.
Drejtuesja e Meteoalb tha se ditët e fundit të korrikut do të riaktivizohen masat afrikane, ku temperaturat mund të shkojnë sërish mbi 40 gradë.