Qeveria ka miratuar kërkesën e “Green Coast”, që gëzon statusin e investitorit strategjik, për zgjerim të hapësirës infrastrukturore dhe të shërbimeve në resortet e Palasës, ku veç vilave luksoze parashikohen edhe hotele me pesë yje.
Ndryshimet mbajnë datën 15 korrik 2021 dhe janë botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare, madje para se të botoheshin në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Ndërhyrja është bërë në një VKM të marrë në korrik të 2016-s që i dha “Green Coast”, një kompani e biznesmenit Samir Mane, statusin e investitorit strategjik.
Ato janë bërë në tre drejtime kryesore. Së pari, është zgjatur nga 20 në 30 vite koha e shfrytëzimit të plazhit dhe brigjeve në zonën e Palasës nga investitori. Së dyti, kanë ndryshuar koordinatat gjeografike të shtrirjes së këtij projekti duke e zgjeruar atë dhe së treti, “Green Coast” i jepet e drejta që të shfrytëzojë përgjatë të gjithë vitit plazhin, ndërkohë që deri më tani VKM-ja e kufizonte nga data 15 maj deri në datën 30 shtator të çdo viti.
“Green Coast” mori statusin e investitorit strategjik më 15 dhjetor të vitit të kaluar nga një vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike, strukturë që drejtohet nga Kryeministri Rama.
Dhënia e këtij statusi u bë me propozim i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Në vlerësimin e kësaj agjencie vlera e projektit dhe numri i të punësuarve për realizimin e tij plotësonte kushtet për dhënien e këtij statusi.
Investimi i parashikuar për “Green Coast” përllogaritet në rreth 125 milionë euro dhe përgjatë fazës së realizimit të investimit parashikohet që të punësojë rreth 800 persona.
Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli të standardit me 5 yje dhe kompleks turistik "Green Coast", në një sipërfaqe prej 217.659 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 73.138 m2, si dhe një hotelt të standardit 5 yje "Ëhite Sensation", me sipërfaqe trualli 10.600 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 8.175 m2 në Dhrale të Vlorës.
Veç avantazheve të mësipërme, investitorit i njihet edhe e drejta që të kërkojë në çdo rast rishikimin e kontratës në rast se do të kërkojë më shumë hapësira plazhi për ushtrimin e aktivitetit të tij në këto zona.