Kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Zef Mazi është pritur në Pragë nga Ministri i Jashtëm, Jakub Kulhánek dhe zv. ministri i Jashtëm për Çështjet e BE-së, Ales Chmelar.
Z. Mazi e njohu ministrin çek me përmbushjen e plotë të kërkesave të Këshillit Evropian të marsit 2020 nga Shqipëria duke shtuar se rezultatet janë të prekshme.
Sipas kryenegociatorit të Shqipërisë, kriteri bazë i vlerësimit nga BE duhet të jenë meritat individuale dhe se “problemet nacionaliste mes vendeve të tjera nuk duhet të marrin peng rrugëtimin evropian të Shqipërisë”.
“Shqipëria pret që BE të marrë vendimet e duhura pasi Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe po vijon me konsistencë reformat e ndërmarra”, është shprehur z. Mazi.
Ministri i jashtëm çek, Kuhlanek vlerësoi gjithë punën e kryer nga Shqipëria në kuadër të integrimit evropian dhe sipas tij vendi ynë duhet të mbajë sa më shpejt konferencën e parë ndërqeveritare.
Madje ai ka deklaruar se për Çekinë është prioritet hapja e bisedimeve teknike të aderimit me Shqipërinë. Sipas tij, BE-ja duhet të marrë një vendim për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë.
Gjatë vizitës në Çeki, kryenegociatori Mazi zhvilloi takime edhe me Komisionin parlamentar çek për çështjet evropiane. Ai u prit nga Kryetari i këtij Komisioni, Ondřej Benešík, dy zëvendësit e Komisionit dhe anëtarë të tjerë të Komisionit.