Viti i ri shkollor do ta gjejë zonën e Don Boskos në Tiranë me 2 shkolla të reja. Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe ajo e mesme “Kristo Frashëri” do të mirëpresin në shtator 1300 nxënësit e kësaj zone. Kantieri prej afro 10 mijë metër katror sipërfaqe u vizitua këtë të shtunë nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
“Ky kompleks, sidomos për Njësinë 9 dhe Njësinë 11, më në fund është një shpëtim dhe një lajm i shkëlqyer për të gjithë prindërit e zonës, të cilët me shumë sakrifica kanë krijuar familjen dhe kanë filluar jetën e tyre në Tiranë, një pjesë e madhe të ardhur nga të gjithë cepat e Shqipërisë”.
Veliaj tha se infrastruktura arsimore është një nga fokuset kryesore të këtij viti.
“Do të jenë mbi një dyzinë shkollash që hapen këtë semestër, një pjesë tjetër për semestrin që vjen dhe do hyjmë në histori si viti ku është punuar më shumë për arsimin dhe janë hapur më shumë infrastrukturë shkollore dhe kopshtesh se në 100 vitet e Tiranës kryeqytet të marra së bashku, se kemi pasur vite ku është fjetur gjumë dhe nuk është bërë një shkollë në Tiranë”.
Përzgjedhja e mësuesve do të bëhet përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.