Megjithëse në vendin tone nuk ka ende një konfirmim zyrtar për praninë e variantit Delta zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacollin, është shprehur se sinjalet për praninë e tij janë të forta.
E ftuar në një emision televiziv, Rakacolli u shpreh se rritja e rasteve ka dy shkaqet: prania e variantit Delta dhe grumbullimet gjatë Kampionatit Europian.
“Rritja e rasteve nuk vjen nga lirimi i masave, por mund ketë dy arsye, një mund të jetë fakti i pranisë së mutacionit Delta që ka infektueshmëri më të lartë dhe grumbullimet që ndodhën gjatë Kampionatit Europian. Këto janë shkaqet, jo lirimi i masave sepse masat nuk janë liruar në atë masë që të sjellin rritje të infektimeve. Megjithatë, situata është tërësisht e kontrolluar. Zyrtarisht nuk e kemi konfirmuar ende praninë e variantit Delta, por sinjalet janë të forta për praninë e këtij virusi”, tha Rakacolli.
Sipas zv.ministres, e vetmja armë që kemi kundër këtij varianti të COVID është vaksinimi, duke i bërë apel qytetarëve që të përfitojnë nga ditët e hapura të vaksinimit.
“Ka rënë mosha e personave të infektuar, nëse më parë predominonte te moshat mbi 40-vjeç e sipër, tani grupmosha më e prekur është 15-45 vjeç, fasha e pavaksinuar. Kush është mbi 18-vjeç, duhet të drejtohet te qendra e vaksinimit, është e vetmja mënyrë për të shmangur infektimin”, u shpreh ajo.