Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri në muajin qershor u rrit me 3.4 herë në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, kur Shqipëria, vendet e rajonit dhe Europa ishte nën masat të forta shtrënguese për shkak të Covid.
Por, sërish rritja e fortë nuk ka kapur shifrat e vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në qershor të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë rreth 605 mijë shtetas të huaj, ku 575 mijë prej tyre për qëllime turizmi e pushimi.
Në qershor të 2019-s, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri ishte pak mbi 630 mijë persona, ku rreth 600 mijë ishin për turizëm dhe pushime.
Më shumë se gjysma e shtetasve të huaj hynë nga Kosova, ose rreth 335 mijë persona, një shifër e rritur fort në krahasim me 2019-n, kur shtetasit e Kosovës që hynë në Shqipëri në muajin qershor përbënin rreth 33 për qind të totalit të tyre, ose 215 mijë vetë.
Ndërkohë, totali i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është rreth 1.6 milionë, nga 2.1 milionë që hynë në 2019. Diferenca do të thotë se në krahasim me 2019-n, Shqipërisë i mungojnë gjysmë milionë turistë.

