Distria Krasniqi arriti të shkruajë historinë e saj duke rrëmbyer medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Kjo ishte medalja e dytë olimpike në xhudo për Kosovën, pas asaj të Majlinda Kelmendit në Rio 2016.
Pjesë e festës dhe gëzimit të këtij rekordi nuk kishte si të mos ishte dhe delegacioni i Shqipërisë në Tokio.
Në një intervistë me skype për Rtv Ora me gazetarin Xhoi Malësia, trajneri Taulant Stermasi, teksa vlerësoi maksimalisht sportisten u shpreh se u ndjejnë njësoj si medaljen e artë ta kishin fituar ata.
Stermasi: Për Distrinë kishim pritshmëri të larta, është sportistja më e mirë e Kosovës për xhudon, ka performuar shumë mirë gjatë 2021 dhe gjatë 2020. Gara është fat, Distria luftoi shumë fort dhe rezultati erdhi. Kënaqësi e madhe që është një shqiptare e Kosovës, duket sikur medaljen e kemi marrë dhe ne.
Po brenda ekipit shqiptar çfarë po ndodh? Shqipëria përfaqësohet në Lojërat Olimpike me 9 sportistë, mes tyre dhe Luiza Gega që trajnohet nga Stermasi.
Trajneri thotë se synim kryesor mbetet garantimi i finales.
Stermasi: Ekipi po përgatitet. Sot ka garuar gjimnasti Matvey, i ka shpëtuar finalja për një pozicion, është renditur i 10-i. Janë tre japonezë përpara, që do të thotë vetëm dy mund të kalojnë në finale. Ai quhet rezerva numër një, nëse një sportist dëmtohet gjatë 4-5 ditëve deri në finale do të jetë gati për të vazhduar me finalen.
Një gabim shumë i vogël teknik e bëri të mos ta kishte të sigurt finalen, gjithësesi shpresojmë që do të jemi në finale me Matvey. Nesër kemi dy sportistë të tjerë që do të garojnë, sportistja e qitjes dhe sportisti i xhudos Indrit Cullhaj i peshës 66 kg. Të shpresojmë që të bëjë secili më të mirën. Kemi dhe notin e peshëngritjen. Ndërsa Luiza është një sportiste që e ka arritur finalen në 2019, shpresojmë fort ta arrijmë finalen prapë.
Të njëjtët kundërshtarë të 2019 kemi dhe këtë vit në Tokio. Gara do të jetë me 1 gusht, kemi kohë akoma për përgatitjet e fundit. Do të luftojmë fort të arrijmë në finale dhe pasi të arrijmë në finale do të luftohet për çfarëdo lloj pozicioni. Gjatë stërvitjes ka thyer të gjitha rekordet e stërvitjeve të mëparshme, është shumë më mirë se në 2019 dhe 2020.
I vetmi disavantazh që kemi në garën e parë që është gara eliminatore, gara zhvillohet në mëngjes, për sportistët gara e pasdites është më cilësore sepse trupi është akoma i pazgjuar në mëngjes, do të jetë pak e vështirë. Por do të sulemi për rekord pavarësisht se kemi në disfavor lagështirën, temperaturën e lartë dhe mëngjesin.
Për këtë arsye Luiza që prej mbërritjes këtu ka filluar të zgjohet herët që në 5 të mëngjesit në mënyrë që të adaptohet me zgjimin në mënyrë që në garë të jetë shumë gati. Do luftojmë për rekord dhe Luiza në gjithë testet e veta është rekord kombëtar 14 sekonda më mirë seç ka bërë në garën e saj më të mirë..