Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë bilacin e vaksinave të përdorura nga qytetarët në javën që lamë pas, e cila përfshiu edhe qytetarët mbi 18 vjeç.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka bërë me dije se gjatë javës së hapur u kryen 70 mijë vaksinime, duke e çuar totalin në 1.130 mijë shqiptarë të injektuar me dozën e tyre anti-COVID. Ndërkohë ministrja ka bërë edhe një paralajmërim lidhur me variantin Delta, që zyrtarisht ka mbërritur edhe në Shqipëri.
“Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj vaksinimi dhe respektimi i masave antiCOVID, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit,”-shkruan ajo
REAGIMI:
“Rreth 70.000 vaksinime u kryen gjatë javës së hapur për qytetarët +18 vjeç, duke e çuar në 1,138,771 vaksinime që prej fillimit të këtij procesi. Mirënjohje për vaksinatorët tanë që nuk e kanë ndalur punën për asnjë moment, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj vaksinimi dhe respektimi i masave antiCOVID, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit,”-shkruan ajo.