Flet babai i njërit prej të plagosurve, tregon pse ndodhi incidenti

Shqipëria

Flet babai i njërit prej të plagosurve, tregon pse ndodhi incidenti

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 14:23
Altin Gjoka

Babai i Altin Gjokës, që mbeti i plagosur dy ditë më parë në rrugën “Todi Shkurti”, ka treguar gjendjen shëndetësore të 2 të rinjve Altinit, djalit të tij dhe Jetmir Marashit, kushëri mjaft i afërt. Për të birin, Zef Gjoka tha se shumë shpejt pritet të lërë spitalin, ndërsa i është hequr edhe plumbi që ka marrë në shpatull.

Ndërsa për Jetmirin, vijon trajtimi e kujdesi i i vazhdueshëm mjekësor ku pritet edhe operimi i tij për nxjerrjen nga trupi të predhës së marrë nga të shtënat me armë zjarri nga autori i dyshuar Aldo Iamandi (Gjini) që ndodhet në arrati së bashku me 2 bashkëpunëtorët e tij.

Zefi thotë se për ngjarjen ka folur shumë pak me Altinin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa mohon të ketë pasur njohje me autorin, ndërsa thotë se sherri ka qenë i çastit pas një aksidenti të lehtë.

“Altini me Jetmirin po kalonin pranë zonës ku ka ndodhur edhe incidenti, një gërvishtje makinash me mjetin tjetër. Ne jetojmë në zonën e Unazës, me dy djemtë, ndërsa kam edhe një vajzë. Altini ka jetuar sa në emigracion sa në Shqipëri, kurrë nuk ka pasur probleme apo penalitete. Askush nga familja e autorit nuk më ka kontaktuar, as nuk i njoh as nuk di se nga janë. Unë kam folur shumë pak me djalin për ngjarjen, sepse nuk kam dashur ta lodh. Ka mbaruar një shkollë profesionale, ka qëndruar disa kohë edhe në emigracion, në Greqi. Është kthyer në Tiranë, jetojmë prej vitesh këtu që kur erdhëm nga Puka asnjë problem nuk kemi pasur me askënd. Djali nuk di çfarë rruge do të ndjekë pas të dalë nga spitali, edhe pak kohë do qëndrojë sepse e ka marrë veten, por unë personalisht ia lë policisë dhe autoriteteve të bëjnë punën e tyre. Është detyrë e tyre ta zbardhin ngjarjen dhe nxjerrin përgjegjësit”, tha Zef Gjoka.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat