Kastriot Hasalla, autori i vrasjes së 30-vjeçarit Romeo Hasalla në fshatin Garunjas të Lushnjes është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë së qytetit.
Ai ishte në kërkim nga policia prej dy ditësh, pasi në datën 29 korrik ekzekutoi me armë zjarri babain e dy fëmijëve dhe la të plagosur dy vëllezërit e tjerë të viktimës si dhe babain e tij.
Mësohet se Kastriot Hasalla është dorëzuar te autoritetet pas tratativave dhe me ndërmjetësimin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier Ferdinand Mara.
“Në vijim të punës intensive dhe kontrolleve të pandërprera që prej mëngjesit të datës 29.07.2021 deri ditën e sotme, në banesa dhe në zona ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, u bë arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, K. H., 49 vjeç, banues në Garunjas, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, njofton policia.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.