Pushimet e Kushtetueses lënë pezull shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Shqipëria

Pushimet e Kushtetueses lënë pezull shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 10:32
Ilir Meta

Shatori do përballë edhe njëherë mazhorancën me presidentin Ilir Meta, i shkarkuar nga shumica në parlament me 104 vota më 9 qershor.

Shkarkimi i Metës tashmë është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit nuk ka planifikuar ende një datë për shqyrtimin e ligjshmërisë se vendimit të kuvendit.

Nisur nga kalendari publik, Gjykata Kushtetuese në muajin gusht do të jetë pushim, duke mos parashikuar asnjë seancë plenare për këtë periudhë, dhe do rifillojë punën më 28 shtator. Nisur nga kalendari i Kushtetueses, Ilir Meta do jetë në detyrë në muajin shtator, kur pritet edhe formimi i qeverisë së re dhe dekretimi i saj nga Presidenti i Republikës.

Mbetet për t’u parë qëndrimi i Metës pas një përplasjeje të vazhdueshme pothuajse 4-vjeçare me qeverinë, që kulmoi deri në shkarkimin e tij nga mazhoranca.

Gjatë kësaj periudhe Meta ka refuzuar dekretimin e disa emrave të kabinetit Rama, madje për kompetencat në emërimin dhe shkarkimin e ministrave u përballën po në Gjykatën Kushtetuese, e cila tha se çdo institucion ka detyrat e tij për verifikimin e kandidatëve.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit Ilir Meta ishte i ashpër në qëndrimet e tij, duke lënë të kuptohet se nuk do të dekretonte një qeveri të re me vota të vjedhura apo të blera. Ndaj pyetja që shtrohet është: A do të dekretojë presidenti, kabinetin e 3 të qeverisë që e shkarkoi apo do refuzojë duke shënuar një rast të precedentë në historinë 30-vjeçare të demokracisë shqiptare?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat