Shqipëria regjistroi viktimën e parë nga zjarret që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit.
Pasditen e kësaj të marte banorët e fshatit “Asim Zeneli”, në Njësinë Administrative Lunxhëri-Antigone, në Qarkun e Gjirokastrës, dhanë alarmin pasi një zjarr i përmasave të frikshme po i drejtohej shtëpive.
I moshuari Andrea Haxhiaj dhe bashkëshortja e tij u përballën të parët me flakët gjigante të cilat kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së tyre dhe po kërcënonin banesën.
Në përpjekje për të neutralizuar flakët, i moshuari bie pa ndjenja në oborrin e shtëpisë dhe humb jetën, ndërsa bashkëshortja pëson lëndime nga flakët. Personi që shihni në foto është i moshuari Andrea Haxhiaj.
Mbërritja e efektivëve të Ushtrisë dhe Policisë së Shtetit bën të mundur evakuimin e banorëve të tjerë, por jo për t’i shpëtuar jetën të moshuarit që jetonte vetëm me bashkëshorten e tij.
Flakët kanë përfshirë edhe banesa të tjera, por fatmirësisht ka vetëm dëme materiale dhe jo pasoja në njerëz.