Kastriot Hasalla, i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla ka mbërritur në gjykatën e Lushnjes.
Krimi ndodhi pesë ditë më parë në fshatin Garunjas dhe për këtë ngjarje janë arrestuar dhe djali i Kastriotit, Mario, si dhe vëllai Afrim Hasalli, për të cilët është vendosur “burg pa afat”.
Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke.
Disa ditë para krimit, midis tyre ka patur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin kur ndodhi ngjarja e rëndë u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushëriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.
Plumbat kapën Romeo Hasallën, i cili humbi jetën në spital ndërsa u plagosën babai me dy djemtë.