Në betejën me flakët, Shqipërinë nuk do ta ndihmojnë as kushtet atmosferike.
Qielli do të jetë i kthjellët, ndërsa reshje shiu do të shfaqen vetëm në zonat malore, por të pamjaftueshme për të shuar vatrat e zjarreve.
"Përsa i përket kushteve të motit mbetemi kryesisht në mbizotërimin e kthjellimeve, ndërsa në zonat malore herë pas here do të ketë prezencë të vranësirave të cilat do të krijojnë mundësi për reshje të pakta dhe të izoluara shiu. Pritet që reshjet të jenë në sasi të pakta," tha Osmani.
Për fat të mirë, era nuk do të jetë e fortë.
"Parametri i erës ka ndryshuar goxha nga mesjava e cila ka qenë një parametër shumë problematik përsa i përket territorit shqiptar. Dita e djeshme dhe kjo fundjavë ka sjellë një normalizim, një dobësim të shpejtësisë të erës," tha ai.
Meteorologu i Meteoalb Hakil Osmani thotë se Shqipëria nuk do të preket nga i nxehti afrikan që ka mbërthyer disa shtete të rajonit por gjatë gushtit nuk do të mungojnë temperaturat 40 gradë celsius.
"Zonat të cilat do të përjetojnë rritje të ndjeshme të vlerave maksimale do të jenë qarku i Elbasanit, ku përfshihet Cërriku, Belshi po ashtu qarku i Beratit me qytetin e Kuçovës dhe Ura Vajgurore do të kenë temperatura afërsisht 40 gardë celcius," tha Osmani.
Java e parë e këtij muaji do të mbyllet me temperatura që në vendet e ulëta do të shkojnë deri në 38 gradë Celsius.