Çdo ditë e më shumë shohim që Tiranës i shtohen kullat të reja.
E ftuar në studion e Ora News, arkitektja Doriana Musai tha se qyteti është i mbipopulluar me ndërtime dhe ndërtimet janë zhvilluar aty ku presupozohet se duhet të ishin hapësirat publike.
Musai: "Qyteti është i mbipopulluar me ndërtime dhe ndërtimet janë zhvilluar aty ku presupozohet se duhet të ishin hapësirat publike. Një hapësirë publike nuk është vetëm një kënd lojërash, por edhe boshi si koncept është një hapësirë publike. Këtu hapësira publike si koncept është transformuar, shndërruar dhe mund të themi se është deformuar deri në atë pikë sa që ne nuk e përjetojmë dot më."
Musai tha se është vënë në zbatim plani i Tiranës 20-30, sipas të cilit deri në vitin 2030 Tirana ka për qëllim të mbindërtohet.
Musai: "Është vënë në zbatim plani i Tiranës 20-30. I gjithë plani në vetvete, Tirana deri në vitin 2030 ka për qëllim të mbindërtohet, që do të thotë çdo hapësirë boshe do të ndërtohet. Përveç njësisë nr.2 që përfshin parkun e Liqenit, çdo territor pjesë e qytetit të Tiranës është zonë për zhvillim, pasi në thelb plani ka për qëllim jo të zhvillojë hapësirën si koncept urban, si hapësire qyteti, por të zhvillojë pronën. Pra kemi një plan që zhvillohet mbi terma ekonomikë dhe jo mbi terma urbanistikë. Plani është që Tirana në qendër të jetë më e dendur dhe të vazhdojë të dendësohet."
"E gjithë Tirana duhet rikonceptuar," tha Musai.
Sipas saj, në vitet në vijim nëse vazhdohet të ndërtohet kështu do të kemi shtim të zjarreve dhe një qytet akoma më të nxehtë.
Musai: "Ne kemi zhvilluar një qytet të sëmurë. Nëse një vatër zjarri ndizet rrëzë kodrave të Dajtit aty ku dendësia është e lartë rreziku është i madh. Ne e kemi zhvilluar qytetin pa kriter, pa kushte urbane dhe e kemi shpërhapur në territor pafundësisht aq sa shërbimet nuk arrijmë dot t'i çojmë aty. E gjithë Tirana duhet rikonceptuar. Ne kemi nevojë të shpikim një model të ri qyteti. Çdo verë që vjen ne do kemi një qytet akoma më të nxehtë, zjarret do vazhdojnë të shtohen."