Shqipëria renditet e dyta në Europë për dhënien e lejes së qëndrimit për fëmijët nën 15 vjeç, në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Nga 64 mijë leje qëndrimi, të lëshuara në Europë, 12 000 ishin për shtetasit shqiptarë.
Mbi 12 mijë fëmijë nën moshën 15 vjeç janë larguar nga Shqipëria, në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Ky numër e rendit vendin tonë të dytin në Europë pas Ukrainës për lejet e qendrimit në BE. Të dhënat e EUROSTAT, zbulojnë se nga 64 mijë leje qëndrimi për herë të parë në Europë, rritje të aplikimeve pati edhe Kosova, me 6400 viza të lëshuara. Shtetet pritëse që udhëheqin numrin më të madh të dhënies së vizave në Europë janë Franca, Gjermania e Spanja.
Por, për shqiptarët streha të sigurta duket të jenë edhe Italia e Greqia.
Një raport i mëhershëm i Eurostat tregoi se 59 600 shqiptarë morën leje qëndrimi në vitin 2019, numri më i lartë që nga viti 2011, duke bërë që numri i përgjithshëm të arrijë në 380 mijë. Në rang global, në vitin 2019, u lëshuan 276 000 leje qëndrimi për arsye familjare drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kjo shifër përbën një raport, 504 për 100 000 fëmijë të popullsisë së BE -së të moshës nën 15 vjeç. Midis tyre, 60% ishin të mitur të moshës nën 5 vjeç.