Policia prangos 24 shoferë dhe 56 të tjerë ndëshkohen me gjobë

Shqipëria

Policia prangos 24 shoferë dhe 56 të tjerë ndëshkohen me gjobë

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka vazhduar ndëshkimin e atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor në vend.

Policia bën me dije se përgjatë 10 ditëve të para të këtij muaji, shumë qytetarë në të gjithë vendin, kanë adresuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, shumë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga Policia Rrugore e Tiranës janë ndëshkuar 31 drejtues mjetesh, nga të cilët 13 drejtues me arrest, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe manovra të rrezikshme në rrugë, dhe 18 drejtues të tjerë me masë administrative deri në 40.000 lekë të rinj, kryesisht për xhirim gomash nën efektin e alkoolit, për gara shpejtësie, parakalime të rrezikshme në krah të kundërt dhe sjellje agresive në rrugë.

Falë telefonatave nga qytetarët, në Durrës, Fier, Vlorë, Lezhë, Korçë e Elbasan, janë arrestuar 11 drejtues mjetesh, të cilët duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur kanë rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative deri në 40.000 lekë të rinj, 56 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi në qendrat e banuara, drejtim mjeti në efektin e alkoolit, për xhirime gomash dhe sjelle agresive në rrugë.

Policia në të gjithë vendin vijon kontrollet permanente me radarë, dragera, kamera, aparate fotografike, dronë e makina të paloguara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat