Policia e Lezhës ka vënë në pranga 2 persona për armëmbajtje pa leje dhe kultivim kanabisi, ndërsa ka proceduar penalisht një tjetër.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Mark Marku, 47 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë, pasi mbante armë zjarri pa leje në banesë. Në cilësinë e provës materiale ?shtë sekuestruar arma e zjarrit automatik dhe një krehër me fishekë.
Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit Ded Deda, 35 vjeç, banues në fshatin Sukagji, Lezhë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi dyshohet si autor i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, Lezhë.
Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Lezhë u procedua penalisht shtetasi Kledian Hasa, 20 vjeç, banues në Lezhë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Shëngjin, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.