Deputeti i zgjedhur i PS-së, Petro Koçi, ka reaguar sërish për denoncimin që bëri disa javë më parë në SPAK se tenderët e Fierit janë të përqendruar në duart e krimit.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, ish-ministri i Brendshëm ka risjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes prapaskenat dhe debatin në PS-në e Fierit, duke deklaruar se nuk i heq asnjë presje denoncimit të tij dhe se kundër tij në fushatë ka pasur edhe ushtrinë e administratës publike.
Deputeti i PS-së, thekson se deklaratat e tij patën mjaft reagime saqë futën në krizë marrëdhëniet organizative në PS, por shton se PS-ja dhe administrata duhet t’i largohen fenomenit të “Maliqit”, por të ngrihet në moralin e ligjit. Teksa ka komentuar dhe reagimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha për denoncimin në Fier, Koçi u shpreh se ka vendosur të vdes qytetar e njeri e jo i pasur.
MESAZHI
Jemi në prag të investimit të tretë të energjisë politike dhe njerëzore të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Një përgjegjësi madhore kombëtare, shtetërore dhe morale qeverisëse.
Një nga sfidat e këtij mandati të ri është performanca e administratës dhe bashkë me të lufta ndaj korrupsionit.
Para më pak se një muaj i dhashë zë politik një fenomeni prepotent në Fier, zgjatjes së duarve të botës së krimit në financat publike. Bëra një deklaratë së cilës nuk i heq asnjë presje. Hodha në publik një britmë të vetë publikut.
U munduan të ma komprometonin. Disa u vërsulën ta përkthenin në larje hesapesh, të tjerë në çështje personale, të tjerë si përpjekje për kompromis të pisët. U fut në lojë dhe Saliu, duke më përzier me standardin e tij që me 200 mijë euro fshin prapanicën e vet.
U përshfaqën disa palë politiko-mediatike me interesa të caktuara financiare në treg. Sigurisht po t’i përkisja ndonjë interesi të tillë do isha një gojëmbyllur i rëndomtë. Por, si ia kam thënë edhe Sali mavrisë kam vendosur të vdes qytetar e njeri e jo i pasur. Palët nga nxitimi nxorën në shesh një sërë aferash me interes për agjencitë e zbatimit të ligjit.
Edhe për vetë SPAK-un me të cilin pata nderin të kontaktoj. Çuditërisht administrata e shumë agjencive shtetërore që veprojnë në Fier reagoi politikisht kundër këtij denoncimi.
U bënë përpjekje që të futej në krizë marrëdhënia organizative në PS. Fenomeni që denoncova nuk po frenohet akoma. Përkundrazi. Por gjithsesi, nuk ka vend për pesimizëm. Mandati i tretë nuk ka filluar. Por, ka vend për të identifikuar fenomene, të cilat duan analizë.
Administrata duket qartazi një formacion që përpiqet të kapë politikën, pra zëdhënien dhe instrumentin kushtetues në pronësi të qytetarëve. Ose të paktën të hyjë në konflikt të qartë interesi me politikën dhe partitë. Kur fillova detyrën e kryetarit të PS-së në Fier e vendosa administratën kundër. Edhe pse një pjesë e saj ishte brenda strukturës drejtuese të partisë.
E dija që do kisha kosto. Bile u çudita që arrita të marr aq vota si individ në zgjedhje. Kisha ushtrinë e administratës kundër. Prisja shumë më pak vota. Por, kjo i dha shpresë njerëzve se diçka po ndryshonte.
U krijua besimi se niveli i shërbimeve do vinte në lartësinë e moralit të ligjit, larg kthetrave të Maliqit. Kjo ishte një nga arsyet që rezultati në Fier ishte më i miri në gjithë qarkun.
Tani që t’i rikthehemi problemit: si zgjidhet konflikti i interesit mes administratës dhe partive, apo mes administratës dhe pushtetit të zgjedhur. Për këtë mendoj se ka nevojë për reforma statutore dhe ligjore të forta.
Të shpëtosh nga ky konflikt interesi është njëra nga rrugët për të luftuar korrupsionin në jetën publike. PS-ja është instrument politik në krah të qytetarëve. Mandati i tretë i energjisë Rama po afron!
Si reagoi PS për akuzat e Petro Koçit
Ish-kreu i Hipotekës në Fier, Ervin Bushi, iu përgjigj ashpër deklaratës së fortë të deputetit të zgjedhur Petro Koçi se “në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike”.
Bushi deklaroi se Koçi dështoi për të marrë vota personale për shkak të paaftësisë së tij drejtuese dhe menaxhuese si kreu i PS-së dhe jo punës së institucioneve shtetërore në këtë qytet, duke krijuar kështu një përplasje të fortë në PS-në e Fierit.
“Me vjen ndot kur thua se indikator per humbjen e mandateve apo rezultatin e arritur ne zgjedhje ka qenë performanca e ASHK-se Fier! Turp per ty te mohosh rezultatet e punes kolosale te ish-Drejtorisë se Aluiznit dhe ASHK-se aktuale Fier! Sa keq me vjen kur mohon totalisht te verteten kur thua qe ASHK-ja Fier ka pasur performance te ulet!
Ështe e turpshme qe kryetari i Partisë te votohet aq pak nga Fierakët socialiste. Pranoje qe ke dështuar edhe ketu dhe kjo per paaftësinë tende drejtuese dhe menaxhuese. Turp per ty qe vazhdon te behesh qesharak ne media duke sulmuar me fjale ata qe smund ti mposhtesh ne rezultate! Sa keq keshtu kur Kryesia te sjell per te punuar e bashkëpunuar dhe ti vetem perc’an dhe njollos!”, shkruante ndër të tjera Bushi.
Ndërkohë, Fatjon Elezaj kryetari i PS-së për Rajonin 2 në Fier, e ka akuzuar kreun e PS-së së këtij qyteti se e ka sabotuar partinë gjatë zgjedhjeve.
Sipas tij, Petro Koçi kishte hatërmbetje për listën e kandidatëve dhe interesat personale.
“Dua t’ju bëj me dije se ne çdo takim që ne patëm kryetari i emëruar i PS-së nuk mori pjesë as për të thënë 2 fjalë e as për të mbështetur Partinë Socialiste apo ne si përfaqësues të saj. E gjithë fushata u menaxhua nga drejtuesi Politik i Qarkut z. Gramoz Ruçi dhe nga kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi. Me këtë që keni bërë ju zoti deputet i zgjedhur keni treguar se interesat tuaja personale janë më të mëdha se qyteti ynë. Me qëndrimin tuaj keni treguar se nuk e doni as Fierin dhe as Partinë Socialiste. Ne nuk e lejojmë kurrë përçarjen e Partisë Socialiste”, shkruante Elezaj në “Facebook”.