Borxhi publik u rrit me thuajse 12 për qind në krahasim me fundin e 2019-s, duke kërcyer nga 65.8 për qind në 77.3 për qind në fund të tremujorit të dytë të këtij viti.
Megjithatë, në raportin periodik të politikave monetare për tremujorin e dytë të këtij viti, Banka e Shqipërisë thotë se në kushtet aktuale të pandemisë ka mbështetur rritjen e borxhit publik për të zbutur pasojat e krizës dhe nxitur rritjen ekonomike.
Por, po në të njëjtin raport, BSH kërkon që të bëhet kujdes me rritjen e tij dhe pavarësisht se vlerësimet e agjencive ndërkombëtare të vlerësimit të riskut të kreditimit, si Standard’s and Poor dhe Moody’s mbeten të pandryshuara, Qeveria duhet të mendojë për konsolidimin fiskal duke filluar nga viti i ardhshëm.
“Me përfundimin e pandemisë, vendet priten t’i japin përparësi ndjekjes së politikave fiskale konsoliduese, të cilat do ndihmojnë në vënien e borxhit në një trajektore të qëndrueshme. Projeksionet fiskale afatmesme sugjerojnë që politika fiskale në Shqipëri do rikthehet në një cikël konsolidimi pas vitit 2021. Banka e Shqipërisë ka mbështetur adoptimin e politikës fiskale lehtësuese në dy vitet e fundit, për të minimizuar efektet negative që përçoi pandemia mbi ekonominë shqiptare. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka theksuar se rikthimi i vëmendjes ndaj konsolidimit fiskal me mbarimin e pandemisë, është një parakusht i nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e financave publike në afatin e gjatë”, thuhet në raportin e BSH.
Banka identifikon tre risqe kryesore që i kanosen borxhit publik.
“Paralelisht me nivelin e borxhit, analiza e qëndrueshmërisë së pozicionit fiskal dhe e shkallës së ekspozimit të tij ndaj goditjeve, duhet të mbajë parasysh dhe strukturën e financimit të këtij borxhi. Në veçanti, tre rreziqe potenciale që karakterizojnë strukturën e financimit të borxhit janë rreziku i rifinancimit, rreziku i normave të interesit dhe ai i kursit të këmbimit”, thotë raporti.
Rreziku i rifinancimit u referohet situatave hipotetike ku një qeveri mund të mos gjejë blerës potencialë për borxhin e saj. Në vetvete, ky tregues është funksion direkt i nevojave që ka një qeveri për huamarrje gjatë një periudhe të caktuar kohore, zakonisht një vit kalendarik, dhe origjinës apo strukturës së zotëruesve të borxhit të saj. Në rastin e Shqipërisë, rrezikut i rifinancimit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit.
Rreziku i normave të interesit i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të tregjeve financiare apo e natyrës së instrumenteve të përdorur për financimin e tij. Në rastin e Shqipërisë, rreziku i normave të interesit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Përtej rritjes së maturitetit dhe thellësisë së tregjeve financiare vendase, zgjatja e maturitetit të borxhit dhe reduktimi progresiv i peshës së instrumenteve të borxhit me interes të ndryshueshëm, kanë zbutur rrezikun nga normat e interesit dhe kanë përmirësuar kuadrin e vlerësimit të kostos së shërbimit të borxhit në të ardhmen.
Rreziku i kursit të këmbimit i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të kursit të këmbimit. Ky rrezik është veçanërisht relevant për vendet të cilat përdorin tregjet financiare ndërkombëtare për mbulimin e nevojave të huamarrjes, nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit të denominuar në monedhë të ndryshme nga ajo kombëtarja.
Në rastin e Shqipërisë, pesha e borxhit në monedhë të huaj ka ardhur në rritje gjate viteve të fundit. Kjo rritje pasqyron në një masë të madhe ndërgjegjësimin mbi pasojat negative që do të kishte aksesimi i tregjeve financiare lokale për përballimin e nevojave e mëdha për financim që ka pasur buxheti, si pasojë e kostove të rindërtimit të dëmeve të tërmetit dhe të kostove të pandemisë. Megjithatë, administrimi i kujdesshëm i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme në të ardhmen.
Banka kërkon vëmendje dhe kujdes me politikat edhe sa i takon papunësisë dhe konsumit. Në lidhje me papunësinë, BSH vëren në raport se në tremujorin e dytë të 2021 ajo u rrit lehtë me 0.1 për qind, duke shkuar në 11.9 për qind. Shifra për momentin nuk është shqetësuese, por ajo, sipas raportit të Bankës mund të sugjerojë trendin për gjysmën e mbetur të vitit.
Sa për konsumin, rritja me 1.5 për qind në tremujorin e parë dhe me 1.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti janë të pamjaftueshme. Raporti i Bankës së Shqipërisë vëren se prirja e konsumatorëve për të shpenzuar mbeti e përmbajtur dhe poshtë nivelit të para krizës shëndetësore.
Në lidhje me shpenzimet, BSH thotë se ato ishin 145.2 miliardë lekë në tremujorin e dytë, ose rreth 14.5% më të larta se i njëjti tremujor një vit më parë. Rritja e shpenzimeve u mbështet nga të gjithë zërat e shpenzimeve, duke kompensuar dhe efektin negativ prej 9 pikësh përqindjeje nga transfertat e drejtpërdrejta të kryera një vit më parë.
Peshën kryesore në rritjen e shpenzimeve të këtij tremujori e mbartën shpenzimet për investime, fondin e rindërtimit, si edhe shpenzimet për sistemin shëndetësor. Shpenzimet për investime publike në tremujorin e dytë ishin 22.4 miliardë lekë, ose rreth 33% më të larta në terma vjetorë.